Zbulohet si e kërcënoi Fatmir Xhafaj sot në konferencë kryeministrin Rama, si Tahiri ditën që…

Per Partine Demokratike, deklarata sot e Fatmir Xhafajt dhe ajo e Saimir Tahirit diten qe hoqi dore nga mandati i deputetit, nuk jane rastesisht te ngjashme. Edhe Xhafaj mes rreshtash thote PD ka pasur nje mesazh kercenues per kryeministrin Edi Rama.

“Fatmir Xhafaj ndoshta nuk ka një dosje aq të pasur sa të Saimir Tahirit për Edi Ramën, por ai njësoj si Tahiri, paralajmëroi Ramën se largimi i tij do ta thotë rënie e qeverisë!”, thotë deputet demokrat Enkelejd Alibeaj.

Alibeaj hoqi një paralelizëm mes rastit “Xhafaj” dhe atij “Tahiri”, ashtu siç kishte bërë më herët edhe Lulzim Basha përmes rrjeteve sociale.

“Kushdo që ka parë sot Fatmir Xhafajn të bëjë viktimën e një komploti, i është kujtuar Saimir Tahiri që derdhte lot krokodili në të njëjtën natë që kërcënoi Edi Ramën se burgosja e tij ishte baraz rënien e qeverisë dhe Edi Ramën në burg!”, u shpreh ai.

Mes fjalive të Xhafajt, pjesën kur ministri i Brendshëm akuzon opozitën se është e gatshme të “bashkëpunojë me djallin për të rrëzuar qeverinë”, Enkelejd Alibeaj e interpreton si kërcënim për Ramën.

“Për të bërë këtë kërcënim për Ramën, Ministri i Brendshëm akuzoi opozitën se po bashkëpunon me djallin për të rrëzuar qeverinë!”, vijoi ai.

Alibeaj thotë se audio-përgjimi i publikuar nga opozita është provë që Agron Xhafaj ushtronte aktivitetin në fushën e trafikut ndërkombëtar të drogës edhe nga Shqipëria dhe thotë se edhe Fatmir Xhafaj e tij që përgjimi është autentik.

“Audio-përgjimi tregon që Agron Xhafaj nuk bën një jetë normale. Është drejtues i trafikut të drogës nën mbrojtjen e të vëllait ministër i Brendshëm. Xhafaj e di se përgjimi është i vërtetë dhe se Agron Xhafaj ka vazhduar trafikun, veçanërisht gjatë kohës që i vëllai është ministër”, deklaroi Alibeaj.

PD këmbëngul se Agron Xhafaj nuk iku vetë në Itali, por u dërgua dhe Alibeaj jep edhe arsyet.

“Kjo është arsyeja pse u dërgua në Itali pa ua nxjerrë më parë me zë e figurë shqiptarëve, publikut shqiptar, por u dërgua në pritje të ekspertizës së audio-përgjimit nga laboratorë apo agjenci të paidentifikuara”, u shpreh Alibeaj.

Deputeti demokrat thotë se Xhafaj gënjen kur deklaron se nuk është subjekt i ligjit antimafia.

“Gënjeshtër e mashtrim që nuk është subjekt. Gënjeshtër që nuk pengon hetimet. Kriminale akuza se opozita vepron për llogari të interesave kriminale. Është i njëjti qëndrim si i Saimir Tahirit dhe Edi Ramës kur denoncuam në Parlament dhe mbarë Shqipërinë, kur denoncuam avionët e drogës, kur denoncuam se është Edi Rama arkitekt i bashkëqeverisjes me krimin”, shtoi ai.

Në fund, Alibeaj e mbyll deklaratën duke thënë se opozita do t’u shkojë deri në fund denoncimeve të saj.

“As jemi trembur dhe as tërhiqemi nga sulmet e një bande kriminale qeverisëse që kërcënon me burg opozitën dhe jo kriminelët dhe trafikantët e drogës. Beteja jonë do të vazhdojë”, u shpreh ai