Shqiptarja në SHBA merr lajmin e trishtë, nuk i lanë kohë të takonte as familjen. Telefonata e fundit me burrin

Ka marre fund ne menyre te trishte perpjekja e kote e shqiptares ne SHBA, e cila ishte perballur me paralajmerimin per deportim pas 18 vitesh atje, ku kishte ndertuar familjen me bashkeshortin dhe 3 femijet.

Behet fjale per shqiptaren Cile Precetaj, rasti i te ciles ka pushtuar disa herë ndër vite faqet e para të mediave botërore, pasi prej vitit 2007 ajo ka rrezikuar dëbimin nga SHBA.

Por të mërkurën autoritetet amerikane e kanë deportuar pa i lënë kohë as të përshëndetet me familjen, të cilët kanë deklaruar për “Detroit Free Press” se kanë mësuar se çfarë ka ndodhur me Cile Precetaj vetëm kur kishte mbërritur në Gjermani, nga ku ajo i kishte telefonuar për t’u thënë se po deportohej për në Shqipëri.

“Fëmijët e mi janë të shkatërruar, të traumatizuar. Ata nuk ndalojnë së qari”, ka deklaruar bashkëshorti i saj Pete Gojcaj për “Detroit Free Press” këtë të enjte.

E martuar me Pete Gojcaj, gruaja ka tre fëmijë me nënshtetësi amerikane, djalin 16 vjeç dhe dy vajzat, 10 dhe 8 vjeç.

Sipas mediave amerikane, mësohet se Cile Precetaj shkoi në Amerikë për një jetë më të mirë pas disa problemeve serioze që pati në Shqipëri në vitin 2000. Për shkak të kësaj situate ajo kërkoi të fitonte statusin e azilantes politike, kërkesë e cila iu hodh poshtë në vitin 2007.

Një vit më vonë, e njëjta kërkesë iu rrëzua edhe nga Gjykata e Apelit. Pas humbjes së gjyqit u dha dhe urdhri për deportim , e pas një sërë kërkesash e peticionesh zyra e migracionit vendosi t’i japë edhe një vit qëndrim Cile Precetajt.

Por mëngjesin e 26 prillit të këtij viti ajo u arrestua për t’u deportuar nga SHBA, teksa kishte hapur sërish çështjen në Gjykatën e Apelit me pretendimin se kërkesa për deportim e ICE bazohet tek individët që paraqesin një kërcënim për sigurinë kombëtare, sigurinë publike dhe sigurinë kufitare, ndërsa vetë 46-vjeçarja nuk ka asnjë rekord kriminal. Por më 16 maj të këtij viti ajo u nis drejt Shqipërisë, pa lajmëruar as familjarët për ditën e deportimit, shkruajnë mediat amerikane.

Ndërsa një zëdhënës për Imigracionin dhe cështjet doganore në SHBA tha se ICE njoftoi anëtarët e familjes për largimin e shqiptares dhe u tha familjarëve të saj të bënin gati çantat dhe valixhet e saj 10 ditë më parë, bashkëshorti i shqiptares tha se nuk e dinte që gruaja e tij ishte deportuar deri të enjten, kur ajo e telefonoi nga Gjermania për t’i thënë se ishte rrugës për në Shqipëri me dy agjentë të ICE.