Policia i ushtron kontrolle, banorët e Dukagjinit: Nuk jemi terroristë

Policia e shtetit vijon prej disa ditësh kontrollet në rrugën e Prekalit. Të gjithë ato që duan të udhëtojnë drejt zonës së Dukagjinit duhet të ndalen fillimisht për kontrolle. Sipas policisë, kontrollet vijnë për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike në zonën e Dukagjinit.

Por, banorët e zonës shprehen kundër kontrolleve. Një prej tyre thotë: “Atje kemi tokat dhe prodhimet tona. Dalim çdo sezon në fshatrat e Dukagjinit. Si rregull, duke qenë se jemi qytetar të Republikës së Shqipërisë kemi të drejtë që brenda këtij territori të lëvizim lirshëm. Ne nuk jemi terrorista.”

Ndërsa, një banor tjetër mendon se kontrolle të tilla do të kenë ndikim negativ edhe tek turistat. “Ne kemi shtëpi në ato zona dhe të kesh kontrolle sa here ulemi dhe ngjitemi nuk është normale. Kontrolle të tilla ndikojnë negativisht edhe tek turistët e huaj.”

Por, ka edhe prej atyre që janë më fëmi dhe janë bllokuar. Për këtë një banor i zonës shprehet: “Jam prej dy ditësh i bllokuar nga policia dhe me një fëmi që nuk mund të dal në Dukagjin. Kam dy pleq tek shtëpia dhe nuk kam pasur mundësi ti takoj sepse nuk ka pasur furgona dhe në këmbë me fëmi të vogël nuk mund të lëviz.”

Ndërkohë, sipas një banori tjetër më lehtë është të shkosh në Amerikë dhe Angli sesa në Dukagjin. /ShkodraNews