Mbrojtja e Edi Ramës: Pse e lëshova Saimirin dhe jo Fatmirin!

Jo rastësisht, fjalimi i Edi Ramës në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së për skandalin e vëllezërve Xhafaj u hap me fjalët “Dje isha në Paris”.

Duke i kujtuar të gjithëve takimin me Emanuel Makron, Rama u shfaq në mbledhjen e PS gati si një i huaj, që sapo zbriti shkallët e Elize dhe tani e detyronin të zhytej mes “politikës së fekaleve dhe të fekaleve të kanaleve mediatike”, i paprekur në asnjë moment nga rrethanat e ngjarjes dhe duke qëndruar jashtë çdo implikimi dhe përgjegjësie personale, për një skandal që i përsëritej me Ministrin e Brendshëm.

Megjithatë krahasimin me Saimir Tahirin nuk e shmangu, i bindur se ky i fundit nuk kishte zgjidhje tjetër veçse ta dëgjonte nga shtëpia, ku qëndron i mbyllur me vendim gjykate.

“Mos e shkarko Fatmirin, siç bëre me Saimirin”, thirrjen e militantëve në rrjetet sociale, Rama e përdori për t’iu dhënë përgjigje dilemave në kokën e ish ministrit, që ngjan me një të syrgjynosur nga partia për një histori të ngjashme.

“Më falni, dhe këtë e kam jo për ju, por edhe për të gjithë ata që na dëgjojnë dhe e kam me këta tanët, me qytetarët e zaonshëm dhe të paverbuar të këtij vendi, po ku hyj unë në këtë mes? Pse duhet të hyj unë në këtë mes?” ishin pyetjet retorike të Ramës, që ngrinte duart duke u zhveshur nga çdo përgjegjësi, megjithëse në të dy rastet ishte ai që mori vendimet, si për mbajtjen e Fatmir Xhafajt në detyrë ashtu dhe për largimin e tjetrit nga qeveria.

Në fakt, historitë e të dy ministrave janë të ngjashme. Përsëriten përgjimet, dokumentat që vijnë nga autoritetet italiane dhe njerëzit e afërt të implikuar në trafikun e drogës. Pavarësisht kësaj, Fatmir Xhafaj mbetet në detyrë, ndërsa Tahiri shkarkohet disa muaj para skandalit.

Në rastin Tahiri nuk pati shumë komunikim me kryeministrin. Asokohe u fol për një takim të tensionuar mes të dyve që përfundoi me acarimin e të dyve. Ndryshe kësaj radhe, në zyrën e Xhafajt janë filmuar ecejaket e Taulant Ballës dhe të Erjon Braçes.

Kryeministri nuk pati asnjë status të nxituar, ku të hidhte dyshime se Xhafaj mund të ishte ndonjë “dru i shtrembër”. Përkundrazi e asocioi atë me ambasadorin amerikan dhe fitoi kohë, duke pritur se çfarë materialesh kishte PD.

Për t’ia bërë më të lehtë vendimin, ishte rënë dakort edhe një lëvizje e minutave të fundit, Agron Xhafaj që pranoi ekstradimin drejt Italisë, ku do të vuajë dënimin me burg.

Me një letër të hapur 1 orë para se të fliste Edi Rama, Agron Xhafaj çtensionoi situatën, duke i dhënë mundësinë Ramës edhe ta mburrë këtë akt në grupin parlamentar të PS dhe në fund, për të dhënë diferencën thelbësore mes rastit Xhafaj dhe Tahiri.

“Tani akuza apo akuzat sot ndaj Ministrit të Brendshën nuk vijnë nga organet e drejtësisë, nuk kanë asnjë lidhje me të drejtën si vlerë” ishte shpjegimi i Ramës që vuri në dukje se burimi kësaj radhe ishte Partia Demokratike dhe jo dosja e Antimafias Italiane.

“Sot që flasim ministri i Brendshëm nuk duhet të përgjigjet, ligjërisht jo e jo, por as moralisht”qe fjalia që çliroi Xhafajn përkohësisht nga të gjitha përgjegjësitë.

Përkohësisht, sepse mbetet ende një mundësi që nga Partia Demokratike mund të dalin të tjera materiale, që vërtetojnë se përgjimi është i vërtetë, ose që Agron Xhafaj ishte aktiv në trafikun e drogës kur i vëllai ishte ministër. E në këtë rast, Rama i lë vetes një mundësi për largimin e Xhafajt nga qeveria.

“Natyrisht që, qoftë përgjigjia që unë kam marrë në analiza shkencore për materialin audio, qoftë materialet e grumbulluara nga burimet e referuara më lart prej të cilave nuk ka indicie për vëllain e Ministrit të Brendshëm, nuk kanë vlerë ligjore konkluzive, se ne nuk jemi njësoj, ne nuk jemi si ata, që do të thotë se më mjaftojnë mua si kryeministër për të krjuar binsjen se ministri i Brendshëm të vazhdojë të kryejë detyrën por nuk e bëjnë asnjë çikë më pak urgjente nevojën për një hetim shterues të prokurorisë, se mua më takon vendimi politik, por jo ai ligjor dhe penal” u shpreh Rama duke lënë të hapur largimin e Xhafajt.

Nuk kishte si të mungonte edhe kësaj radhe një komplot i tërë kundër qeverisë, “një lojë e neveritshme për të çoroditur dynjanë përmes një mashtrimi të tillë publik për të goditur Shqipërinë në sytë e botës frontalisht” e quan Rama.

Kryeministri shpërndau ku mundi skandal-fekalet që kanë mbushur qeverinë për t’i dhënë formë komplotit kundër tij, nga skeptikët e Europës tek opozita shqiptare, nga prokurorët e lidhur me drogën tek mediat e kazanit.

Bëri pjesë të komplotit armiq të brendshëm e të jashtëm, që u bënë bashkë për të “helmuar realisht gjakun e shumë qytetarëve të ndershëm”, ndërsa më herët terreni ishte spastruar nga një letër e hapur e Agron Xhafajt, i cili kishte pranuar t’i dorëzohej drejtësisë italiane.

Për opozitën
“Ata thonë se po pengojnë, bllokojnë, rrëzojnë qeverinë e krimit dhe të drogës por po pengojnë, bllokojnë dhe rrëzojnë vetë Shqipërinë në këto metra të fundit drejt një stacioni historik” u shpreh Rama.

Për prokurorinë
“Me çeljen e negociatave drejtësia shqiptare bëhet një problem i madh për ta, pasi ajo hyn në fazën e çeljes deri në fund të kapakëve të zullumeve të mëdha, si dhe të lidhjeve reale të politikës me krimin që nga pastrimi i parave me logon e partisë, deri te kuintalët e kokainës të fshehur nën banane me ndihmën e prokurorisë”

Të huajt
“Opozita baltosi Shqipërinë në sytë e disave jashtë vendit, të cilët mezi presin të reja nga Partia Demokratike e Shqipërisë për të ngritur zërin me pseudo-argumenta të rinj në parlamentet e tyre kundër çeljes së negociatave”. Lapsi.al