Largohet nga posti shtetëror, Monika Lubonja flet për herë të parë: Jam goditur për…

Për herë të parë ka folur publikisht për largimin si Drejtore e Qendrës Kulturore Kombëtare për Fëmijë në janar të këtij viti. Monika Lubonja e ftuar në “Rudina” në TV Klan, nuk pranoi të jetë e akuzuar personalisht ndërkohë që shtoi se është goditur për shkak të sukseseve që ka arritur.

“Unë nuk jam akuzuar për asgjë. Nuk jam prononcuar për asnjë lloj gazete apo media sepse e quaj farsë këtë. U godita unë si Monika nga dy punonjëset e institucionit tim që unë i di shumë mirë dhe jo vetëm unë, por i gjithë institucioni.

Jam goditur për sukseset që arriti ky institucion sepse ne kemi xhelozi shumë të madhe nëse shikojmë dikë më mirë. Unë jam artiste dhe njeri i lirë që bëj vepra jashtëzakonisht të bukura për fëmijët. Mua nuk më vjen keq që dhashë dorëheqjen, e bëra me dinjitet të plotë.

Nuk më është kërkuar ta bëj. Ministrja e Kulturës më ka thënë të qëndroj derisa të dalin në vendime personat kompetentë. Unë i thashë që do t’i jap dorë të gjitha hetimeve.

Nëse këta njerëz do donin të shikonin shkeljet në këtë institucion, unë do t’i them që në 2011-ën para se të shkoja unë është bërë një festival me vlerë 27 milionë lekë dhe po ta krahasosh me festivalin që bëra unë, të Eurovisionit janë harxhuar 17 milonë lekë dhe çdo gjë ka qenë nën kosto.

Dhe jo vetëm kaq, por edhe të ardhurat e institucionit i kam deklaruar në ministrinë e Kulturës”, tha Lubonja.