Edi Rama në vjeshtë bën bilancin njëvjeçar të qeverisë. Priten ndryshime në kabinetin qeveritar, ministrat që rrezikojnë

Edi Rama po përgatitet për të hyrë në zgjedhjet për pushtetin vendor të vitit të ardhshëm me një fytyrë të re qeverisëse.

Mësohet se në vjeshtë, pikërisht në një vjetorin e fillimit të mandatit të dytë qeverisës, tashmë pa aleatët, kryeministri Rama do të bëjë bilancin qeverisës.

Do të merren në analizë të gjitha dikasteret për të parë ku ka përparësi por dhe ku ka çaluar puna për ta përmirësuar në të ardhmen.

Nga burime të brendshme të qeverisë mësohet se në “radarin” e kryeministrit Rama janë financat, ekonomia bashkë me asetet e tyre doganat dhe tatimtaksat. Por edhe shërbimet, investimet, arsimi dhe rendi.

Arben Ahmetaj do të jetë në “syrin” e ciklonit dhe është nën monitorim deri në shtator për shkak të lehtësisë me të cilën mori vendosjen e tarifës së Rrugës së Kombit, ku u krijua një skandal i vërtetë vetëm e vetëm se nuk ishin sqaruar qytetarët.

Ndonëse taksa prej 5 eurosh e cila në rrugën e dyfishtë ishte 10 euro, është tepër rënduese për qytetarët por dhe për shqiptarët e Kosovës. Gjë që detyroi Ramën të deklaronte se po negocionte me koncensionarin për lehtësira.

Një mendjelehtësi e tillë e Ahmetajt e cila u kalua dhe tek Rama dhe u përkthye në arrogancë pritet të ulë rëndë kredencialet e ministrit të Financave dhe Ekonomisë.

Njëherësh dhe paqartësia për taksën e biznesit të vogël rëndon së tepërmi mbi Ahmetajn.

Nuk kanë qënë të rastësishtme deklaratat e kreut të Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe, i cili ka kërkuar përgjegjësi nga ata që nuk kanë sqaruar qytetarët. “Këmbana” binte për Arben Ahmetajn, pasi Braçe po e përsërit këtë akuzë në të gjitha podiumet dhe ekranet ku flet. Ndonëse nuk përmend emra.

Një emër tjetër që pritet të jetë nën vëzhgim është Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla.

Skandalet janë të njëpasnjëshme dhe akuzat ndaj saj nuk kanë të sosur. Ndërkohë që reforma në arsim po ecën me hapa të ngadaltë. Çka mund të përkthehet në kosto elektorale në zgjedhjet vendore, që Rama kërkon ti fitojë me çdo kusht duke shfrytëzuar dhe dobësinë e opozitës.

Por dhe Energjia e Infrastruktura janë në fokus, ndonëse duket dora e Damian Gjiknurit, i cili përpos punës që ka bërë në krye të dikasterit, ka dërguar dhe dosjet e abuzimit në Prokurori. Bëhet fjalë për dosjet e rrugëve dhe abuzimin e ish drejtorëve të PD dhe LSI.

Pavarësisht se situata në sektorin energjetik lë për të dëshiruar, ndërkohë që drejtori Adrian Çela punon më shumë për vete. Madje sillet dhe si një Ministri brenda ministrisë duke deklaruar se ka lidhje direkte me kryeministrin Edi Rama. Gjë që nuk përbën çudi, për faktin se kryeministri e bën një gjë të tillë. Pasi dhe me dy Artanët, Lamen drejtor ALUIZN-i dhe Shkrelin zv.ministër i mban lidhjet direkte duke anashkaluar ministrat respektivë.

Njëherësh problem ka qënë thithja e investimeve të huaja, dhe tashmë nuk mund të justifikohet askush me reformën në drejtësi. Rama është treguar i ashpër, sepse nuk është promovuar klima e lehtësuar e biznesit, por dhe situata më e mirë e rendit. Që do të jetë në fokus të qeverisë.

Ndaj priten ndryshime në kabinetin qeveritar këtë vjeshtë. Ndoshta do të ketë ndryshime surprizë. Paçka se “rrënja e së keqes” është vetë kryeministri Edi Rama, “kurban” do bëhen ministra të caktuar./Pamfleti.com