Besonte se ishte shtrigë, bashkëshorti braktis të renë

Një vajzë e re në Indi është diagnostikuar me një sëmundje tepër të rrallë që e bën atë të djersijë gjak.

21-vjeçarja Geeta jeton në Saharsa, në shtetin indian të Bihan dhe vuan nga Hematohidrosis, një sëmundje që prek vetëm 1 në 10 milionë njerëz.

Duke besuar se ajo ishte shtrigë, pasi nisi të nxirrte gjak nga sytë, bashkëshorti e braktisi të renë një vit më parë.

Sipas një studimi të publikuar nga Revista Indiane e Hematologjisë, kjo gjendje bën që enë të shumta të gjakut që rrethojnë gjëndrën e djersës të ngushtohen kur ndodhen në gjendje stresi. Nëse ankthi rritet, enët e gjakut zgjerohen kaq shumë sa këputen.

Gjaku më pas shkon në gjëndrat e djersës, që e shtyn gjakun sëbashku me djersën në sipërfaqe, duke bërë që personi të nxjerrë gjak të përzier me djersë.

Sëmundja e Geetas është kaq e rrallë sa shumë njerëz, përfshirë edhe mjekët, nuk kanë njohuri për të.

Sipas “The Sun”, prindërit e 21-vjeçares thonë se gjendja e saj rëndohet çdo ditë e më shumë dhe se ajo tashmë po nxjerr gjak edhe në pjesë të tjera të trupit.